Hoti kritikon Qeverinë Kurti për moszbatim të marrëveshjeve me SHBA-të, thotë se do t’i publikojë në ditët në vijim

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, ka bërë një krahasim të pritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të delegacionit nga Maqedonia e Veriut dhe Qeverisë së Kosovës.

Hoti në një postim në Facebook shkruan se Maqedonia e Veriut po diskuton me partneritetin strategjik me ShBA dhe kjo është e rëndësishme për gjithë rajonin.

Ai më tej shkruan se Qeveria e Kosovës e neglizhon Marrëveshjen e Uashingtonin të 4 shtatorit 2020, që është e natyrës së partneritetit strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.

Lexoni të plotë postimin e Hotit në Facebook:

Maqedonia e Veriut diskuton partneritetin strategjik me ShBA. Kjo është e rëndësishme për gjithë rajonin. E përgëzoj Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut për këtë arritje.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e neglizhon Marrëveshjen e Uashingtonin të 4 shtatorit 2020, që është e natyrës së partneritetit strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.

Pyetjet themelore janë:

  1. Pse po neglizhohet kjo marrëveshje?
  2. Pse po neglizhohet studimi i fizibilitetit për të lidhur Prishtinën me hekurudhë në Portin e Adriatikut?
  3. Pse po neglizhohet mundësia për qasje në financim për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në tregjet financiare amerikane?
  4. Pse po neglizhohet mundësia për projekte bilaterale?
  5. Pse po neglizhohet zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-ShBA për Insentiva në Investime, e nënshkruar më 31 dhjetor 2020 nga Qeveria Hoti?
  6. Pse u shty për më shumë se një vit marrëveshja me MCC për energji, ku përfshihej rrjeti i gazit dhe bateritë për ruajtje të energjisë, e në fund prapë u pajtuan për bateritë?

Në ditën në vijim do t’i publikoj të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria Hoti me ShBA, të cilat po neglizhohen, si dhe pasojat për Kosovën.

Go to TOP