‘Reporting House’, ekspozitë për luftën

Për luftën në Kosovë kanë raportuar gazetarë vendorë e ndërkombëtarë. E të gjitha këto janë ekspozuar nga sot në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në Prishtinë. Për këtë ngjarje u mbajt një konferencë për medie, ku u tregua për përmbajtjen dhe organizimin e ekspozitës.

Nuk mund të shkojmë përpara pa e pasur historinë e dokumentuar.

Kështu u shpreh kuratori i ekspozitës “Reporting House”, ekspozitë kjo që është dëshmi e punës së gazetarëve vendorë e ndërkombëtarë gjatë luftës në Kosovë.

Ekspozita përmban mbi 20 orë materiale, xhirime nga arkivat të titruara në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

“Xhirimi i parë është 1989, i cili është i grevave të urisë së minatorëve. Për ne kjo është fillimi i një historie që e kemi si dokument në video, televizioni publik finlandez, japonez, spanjoll, prej lokalëve e kemi RTK-në, Produksioni 21, Kohën ditore, media lokale, që na kanë dhënë arkivat e tyre”, tha Jeta Xharra, producente e ekspozitës.

 “Mënyra qysh pritet të shihet kjo ekspozitë është për të mbledhur sa më shumë rrëfime, ku publiku ka afërsi të flasë dhe ta ndajë me neve, jemi duke e harruar historinë, nuk mund të shkojmë përpara pa e pasur historinë e dokumentuar”, tha Gazmend Ejupi,  kurator i ekzpozitës “Reporting House”.

”Në vitin 1998 isha korrespondent i BBCsë në Kosovë, është ndjenjë e mirë të kthehesh dhe të shohësh sa shumë ndryshime janë bërë gjatë këtyre 25 viteve. Raportimi në vitin 1998 ka qenë më i rëndësishmi për ne. E kemi ditur se raportimi ynë nga Kosova do të ndryshoj rrjedhën e zhvillimeve”, tha David Loyn, korrespondent i BBC-së.

“Unë isha me fat që isha në vendin e duhur dhe kohën e duhur për të xhiruar Prekazin?ndoshta ngjarjen më me peshë në Kosovë. 18 milionë njerëz e kanë vizituar deri më tani Prekazin”, tha Vaughan Smith, kameraman i BBC-së.

Gazetaria luajti rol të madh?

“Ne i kemi intervistuar mbi 1 mijë persona. Nga gjithë ata që kemi intervistuar, 10 prej tyre kanë ndërruar jetë menjëherë pas intervistave dhe para dy jave një person që kishte dhënë dëshminë, e një pjesë e spikatur ishte kur tha se fëmijët e tij ishin duke ndenjur me fëmijët e vëllait të tij që kishte vdekur, ai kishte turp t`i përqafonte, i vinte keq. Ky ndërroi jetë. Mbajeni mend nuk jeni vonë, por nuk keni kohë”, tha Emir Suljagiq, drejtor i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë.

“Puna me gazetën Kombi dhe televizionin publik japonez mua, në mars, më shpie në Prekaz. Shkuam dhe vizituam shtëpinë e familjes Jashari, ku aty gjej një notes, një fletore ku janë vizatimet dhe një pjesë e historisë së atyre fëmijëve që nuk janë më e për të cilët e kemi obligim, si shtet, që gjeneratat e reja të rriten me të vërtetën se liria nuk na është bërë dhuratë”, tha Donika Shahini,  gazetare dhe përkthyese gjatë luftës.

Ekspozita u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit 2024.

Go to TOP