Redaktohet videoja për ta bërë Presidentin Biden të duket sikur po ulet në karrige imagjinare

Një video e Presidentit Joe Biden në një ceremoni në Francë, është manipuluar dhe është hedhur në rrjetet sociale me pretendimin e rremë se ajo tregon se ai po ulet në një karrige imagjinare.

Presidenti Biden po merrte pjesë në nderimet me rastin e 80 vjetorit të Ditës të Zbarkimit të Aleatëve për të çliruar Francën nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore.

Videoja origjinale, ku karrigia pas zotit Biden në pjesën më të madhe duket qartë, në variantin e redaktuar të qarkulluar është prerë përpara se presidenti të ulet.

Pamjet e plota të ceremonisë tregojnë se presidenti shikon pas tek karrigia dhe ndalet pak para se të ulet.

Përdorues të mediave sociale shpërndanë videon e shkurtuar për t’i bërë jehonë një linje të vazhdueshme interpretimi se presidenti Biden është i dobët dhe pa energji.

Në video, Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron shtrëngojnë duart ndërsa qëndrojnë mes zonjave të para Jill Biden dhe Brigitte Macron.

Presidenti më pas shikon për një moment mbi shpatullën e tij të majtë, përkulet dhe rri gati për t’u ulur ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin paraqitet si folësi i radhës.

“Kjo është shqetësuese,” thuhet në një postim X. “Pres. Biden po përpiqet të gjejë një karrige të padukshme për t’u ulur. Është kaq e trishtueshme dhe e turpshme për ata të pranishëm që duan të nderojnë trimat që vdiqën për të mbrojtur vendin tonë nga qeveritë tiranike.”

Në një tjetër postim në X thuhet: “Biden po përpiqet të ulet në një karrige që nuk ekziston. Problemi është se ai synon të vazhdojë të kandidojë për zgjedhjet presidenciale.”

Por videoja e përhapur në internet ndërpritet menjëherë përpara se zoti Biden të zërë vend.

Në pamjet e plota të ceremonisë, presidenti hedh një vështrim në karrigen e tij, përkulet, ndalon ndërsa fillon prezantimi i zotit Austin dhe më pas ulet në të njëjtën kohë me zotin Macron, gratë e tyre dhe njerëzit e ulur pas tyre.

Karrigia e Biden është e dukshme gjatë gjithë videos, megjithëse në disa pjesë është pak më në errësirë.

Go to TOP