Reagon Vuçiq pas arrestimit të Popoviqit: Serbia do të reagojë fuqishëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas arrestimit të ndihmësdrejtorit të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Igor Popoviq, duke e cilësuar veprimin si provokim nga ana e kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti.

“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Kurti e ka humbur plotësisht arsyen dhe dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor,” ka deklaruar Vuçiq në televizionin Pink.

Sipas tij, autoritetet serbe kanë informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për këtë situatë. Ai ka thënë se kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme.

“Ne kemi njoftuar të gjithë partnerët tanë dhe do të njoftojmë edhe të gjithë miqtë tanë. Por gjithmonë do të luftojmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por do të reagojmë në mënyrë shumë të ashpër dhe të fuqishme, sepse ky terror duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë”, ka deklaruar presidenti serb.

Arrestimi i Igor Popoviqit erdhi pasi që i njëjti, gjatë një fjalimi të mbajtur në Rahovec, ka përdorur gjuhë të ashpër kundër UÇK-së.


Go to TOP