Rasti i Valon Sylës e Shpejtim Bulliqi, çfarë kërkesa të kryetarit të Podujevës refuzoi Gjykata
Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e Shpejtim Bulliqit, kryetar i Komunës së Podujevës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj gazetarit Valon Syla.
Përmes propozimit të lartcekur, Bulliqi ka kërkuar që të urdhërohet Syla, që t’i ndalojë të gjitha fyerjet dhe shpifjet drejtuar ndaj tij si dhe të bëjë edhe kërkimfalje publike në mediet e njëjta ku pretendohet se i ka bërë ato, raporton “Betimi për Drejtësi.
Sipas aktvendimit të 13 qershorit 2022, thuhet se gjykata në bazë të vlerësimit të shkresave të lëndës dhe provave të paditësit, ka ardhë në përfundim se në këtë fazë të procedurës, një propozim i tillë është i pabazuar dhe në kundërshtim me nenin 287, par.1 i Ligjit të Procedurës Kontestimore dhe me nenin 16, par.2 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.
Po ashtu, me këtë aktvendim gjykata ka vlerësuar se sa i përket masave të sigurisë me të cilat kërkohet ndalimi paraprak i publikimeve në përgjithësi, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) sipas nenit 10 parasheh se “nuk e ndalon shprehimisht vendosjen e kufizimeve paraprake ndaj publikimeve, si të tilla”, por “rreziqet që kanë të bëjnë me kufizimet paraprake janë të tilla që kërkojnë kontrollin më të kujdesshëm nga ana e gjykatës”.
Lidhur me këtë, gjykata sipas këtij aktvendimi ka çmuar se në këtë fazë të procedurës nuk mund të aprovohet propozimi i paditësit, pasi që një propozim i tillë do nënkuptonte jo vetëm paragjykimin dhe zgjidhjen e çështjes, por edhe lirinë e shprehjes.
Bazuar në këtë, gjykata ka refuzuar propozimin e Bulliqit pasi që ka gjetur se propozimi i tillë nuk i plotëson kushtet nga neni 297, par.1 i LPK-së dhe neni 16, par.2 i LCKSHF-së.
Ndërsa, sa i përket propozimit që padia të konsiderohet e parakohshme dhe respektivisht si e pasafatshme, konsiderohet se kërkesa e palës para Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), nuk paraqet kusht të domosdoshëm për parashtrimin e padisë, andaj nuk mund të konsiderohet si e parakohshme.
Tutje, lidhur me propozimin që padia të konsiderohet si e pasafatshme për shkak të kalimit të afatit subjektiv tremujor, gjykata ka konsideruar se pasi që padia është ushtruar brenda afatit njëvjeçar, nuk mund të hudhet poshtë si e pasafatshme.
Sipas precizimit të padisë së 10 shkurt 2022, kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi ka rregulluar padinë në kuptimin objektiv për nga lartësia duke e kërkuar 15 mjë euro nga gazetari Valon Syla për shpifje dhe fyerje me kamatë 8% nga data e parashtrimit të padisë dhe po ashtu ka kërkuar shpenzimet e procedurës.
Ndryshe, sipas padisë së 21 janarit 2022, thuhet se më 9 dhe 13 tetor 2022, i padituri Syla në emisionin “Pressing” në televizionin “T7” ka deklaruar se “ paditësi ua ka vjedhur fëmijëve bojën e shkollës” po ashtu duke iu referuar me fjalët “mashtrues me demarkacion…”.
Në padi thuhet se po ashtu i padituri Syla fyerjet dhe shpifjet kundër paditësit Bulliqi i ka vazhduar edhe në rrjetin social “Facebook” me fjalët “hajduk, mashtrues, uzurpator”.
Mbi këtë bazë sipas padisë, Bulliqi ka kërkuar që t’i aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij ashtu që në emër të cenimit të autoritetit dhe në emër të shkaktimit të dhimbjes shpirtërore t’i paguhet shuma që do të caktohet në bazë të ekspertizës dhe t’ia paguajë paditësit edhe shpenzimet e procedurës.
Tutje, më 15 shkurt 2022 propozuesi Bulliqi ka bërë propozimin për caktimin e masës së sigurisë ka kërkuar nga gjykata që ta urdhëroj kundërpropozuesin Syla që t’i ndalojë të gjitha fyerjet dhe shpifjet e drejtuara ndaj tij.
Po ashtu, Bulliqi ka kërkuar përmes parashtresës që Syla të bëjë edhe kërkimfalje publike në të gjitha mjetet e informimit dhe rrjetet sociale lidhur me të gjitha shpifjet dhe fyerjet të cilat i ka bërë dhe të njëjtat t’i demantojë në tërësi dhe atë menjëherë nga data e lëshimit të urdhëresës gjyqësore.
Ndërsa, sipas përgjigjes në padi të 15 prillit 2022, Syla ka kërkuar nga gjykata që ta hudh poshtë si të pasafatshme padinë e paditësit Bulliqi dhe i njëjti t’ia kompensojë shpenzimet procedurale e po ashtu ta refuzojë edhe propozimin për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas përgjigjes në padi, padia është e pasafatshme pasi që sipas Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes par.1, të nenin 17 “Afati për paraqitjen e një kërkese për kompensim në bazë të këtij ligji është tre muaj”. Gjithashtu thuhet se konsiderohet e parakohshme edhe pasi që paditësi nuk i ka shterur mjetet juridike në dispozicion para ushtrimit të padisë.
Po ashtu, sipas përgjigjes në padi, Syla gëzon të drejtën për të mbrojtur burimet e informacionit sipas Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë.