MAShTI deklarohet për mbarëvajtjen e Testit të Arritshmërisë, evidenton probleme por edhe avancim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë se në bazë të raportit të nxjerrë nga informatat e mbledhura në terren është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, të mbajtur më 14 qershor 2022.

Megjithatë, MAShTI thekson se edhe këtë herë janë evidentuar disa probleme në disa qendra të testimit, si pasojë e  mosrespektimit të udhëzimeve të hartuara nga ministria.

“Problemet e evidentuara gjatë mbajtjes së pjesës së  dytë të Testit të Arritshmërisë janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e qendrave të testimit; vonesa të administruesve në disa qendra të testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit”, thuhet në njoftim.

MAShTI gjithashtu bën të ditur se, lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë marrë masat adekuate ndaj 2 administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin celular dhe që janë evidentuar nga administruesit t’u llogariten vetëm pikët nga lëndët në pjesën e  parë  të testit.

Go to TOP