Rashiti: Kosova duhet të veprojë si shtet, liderët të mblidhen për një plan konkret
Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, ka theksuar rëndësinë e veprimeve të shpejta politike pas zgjedhjeve duke theksuar se numërimi i votave nuk duhet të vonojë proceset shtetformuese.
Sipas Rashitit, ndonëse fituesi i zgjedhjeve dhe përbërja e Kuvendit dihen, mbetet e paqartë se si do të duket qeveria e re. Për këtë arsye, ai sugjeron që, nëse Kosova ka një politikë serioze shtetformuese, Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë që të hënën në mbrëmje një takim me liderët politikë për të përcaktuar hapat e ardhshëm.
“Liderët duhet të bien dakord për një plan konkret veprimesh dhe një qasje të re në politikën vendore, përfshirë dialogun me Serbinë, marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në,” ka deklaruar Rashiti duke nënvizuar nevojën për një politikë horizontale me kapacitete institucionale dhe veprime të guximshme.
Ai ka paralajmëruar se ky është një test i rëndësishëm për politikën kosovare dhe se vonesat në krijimin e qeverisë dhe hartimin e një agjende të re mund të dëmtojnë stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të Kosovës. /Kosova.info/
