Raportimet për mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Kosovë, deklarohet komandanti i KFOR-it
Komandanti i KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por mbetet e brishtë për shkak të çështjeve të pazgjidhura, retorikës nxitëse dhe përdorimit të dezinformimit.
Në një intervistë për RTV21, ai theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në terren për të krijuar hapësirë që dialogu politik të ecë përpara duke nënvizuar mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Sa i përket dy urave të reja të ndërtuara mbi lumin Ibër në veri, Ulutaş sqaroi se KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në ndërtimin e tyre, por mban prani të përhershme dhe të dukshme në urën kryesore në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Ai shtoi se situata do të monitorohet vazhdimisht me një qëndrim fleksibël.
Gjenerali theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet rajon me rëndësi strategjike për NATO-n dhe se Aleanca nuk do të lejojë krijimin e asnjë vakumi sigurie. Ai paralajmëroi se çdo ndërhyrje e jashtme në proceset demokratike, përfshirë sulmet kibernetike dhe aktivitetet destabilizuese, është e papranueshme.
Në lidhje me veriun e Kosovës, Ulutaş konfirmoi se, bazuar në marrëveshjet ekzistuese, Forca e Sigurisë së Kosovës mund të zhvillojë misione në atë pjesë vetëm me miratimin paraprak të komandantit të KFOR-it.
Sa i përket forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe marrëveshjeve trepalëshe me Shqipërinë dhe Kroacinë, ai theksoi se NATO nuk është palë në këto iniciativa, ndërsa vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të misionit.
Ulutaş bëri të ditur se aktualisht nuk ka ndryshime të rëndësishme në përbërjen e trupave të KFOR-it duke theksuar se SHBA-ja ka rreth 600 trupa të dislokuara në Kosovë dhe udhëheq Komandën Rajonale Lindje, e cila kontribuon në patrullime, trajnime dhe angazhim me komunitetet lokale.
Ai përfundoi se KFOR-i do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët. /Kosova.info/
