Raphael Fays dhe Jose Palomo magjepsin me flamengo

Edicioni i 13 i Festivalit të Kitarës solli në skenë melodi të xhazit, flamengos dhe tingujve mesdhetarë, duke krijuar një atmosferë magjepsëse në kryeqytet.

Me virtuozitetin e Faÿs dhe ritmet ekspresive të Palomos, mbrëmja u shndërrua në një dialog të gjallë muzikor, të cilin publiku e priti me entuziazëm të madh. Ky festival është një hapësirë ku takohen kultura dhe stile të ndryshme si dhe është një mundësi e rrallë të dëgjojmë muzikë të mjeshtërve të mëdhenj.

“Shpesh herë unë vij në Prishtinë dhe gjithmonë ndjehem mirë edhe më presin shumë mirë. Keni një publikë të mrekullueshëm. Kam krijuar një teknikë timen të muzikës si dy kitaristë që jemi. Kemi krijuar një ndërlidhje midis jazz-it dhe flamengos dhe kemi krijuar një stil tonin. Shumë njerëz nuk na kanë besuar përveç spanjollëve”, tha Raphaël Faÿs, kitarist.

“Çdo herë që shkoj në ndonjë festival që do ta shoqëroj Rafaelin ndjehem mirë dhe nuk është hera e parë që vij në Kosovë. Jam me origjinë spanjolle dhe vij nga Franca. Mezi po pres fillimin e koncertit dhe po ndjehem shumë mirë. Kemi qenë edhe më herët në Kosovë por nuk ka qenë në kuadër të festivalit, kemi qenë në kuadër të një organizimi të komunitetit rom”, tha José Palomo, perkusionist.

Edicioni i sivjetmë i festivalit ka përfshirë koncerte, punëtori dhe prezencën e artistëve nga vende të ndryshme të botës. Organizatorët e cilësojnë këtë edicion si një ndër më të pasurit artistikisht.

”Sot kemi natën përmbyllëse të festivalit ku kemi përzgjedhur flamengo dhe jazz me solistët nga Franca, Raphaël Faÿs dhe José Palomo nga Spanja. Këta dy kitaristë e kanë një program pak më atraktiv se koncertet e kalume ku sot kemi mundësinë me i dëgjua me muzikë flamengo apo spanjolle”, tha Ehad Dula, drejtor artistik.

Me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës, RTK-së si dhe Filarmonisë së Kosovës, Vihuela Guitar Fest tashmë po shkon drejt edicionit të radhës.


Go to TOP