Ramadani para ndeshjes me Celje: `Kualifikimi nuk është i pamundur
Trajneri i Dritës, Zekerija Ramadani, ka thënë se gjatë ndeshjes me Celjen skuadra e tij duhet të qëndrojë besnike ndaj identitetit të saj dhe të mbështetet te loja kolektive.
Drita e pret Celjen të enjten mbrëma nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e parë të fazës “play off” në Conference League. Drita e kishte mbyllur fazën e ligës në vendin e njëzetë me shtatë pikë.
“Jemi këtu ku shumë skuadra shqiptare e ëndërrojnë. Drita duhet të mos dalë nga identiteti i vet. Gjithmonë kur kemi funksionuar si grup, kemi dalë të suksesshëm. Nuk jemi mbështetur në individualitete, por në kolektiv”, ka deklaruar ai.
Trajneri shkupjan ka treguar se pas ndeshjes me Drenicën, ekipi ka bërë analizë të detajuar dhe është përgatitur në aspektin fizik, psikologjik dhe taktik.
Sipas Ramadanit, Celje luan me stil të njëjtë, pavarësisht ndryshimeve në pankinë.
“I kam parë pesë ndeshjet e fundit. Nuk ka ndryshim në stilin e lojës. Kemi analizuar pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Do të jetë e vështirë, por assesi e pamundur kualifikimi”, është shprehur ai.
Ramadani ka shtuar se Drita duhet ta shfrytëzojë terrenin vendas dhe përkrahjen e tifozëve.
“Duhet ta japim maksimumin dhe të mos dalim si frikacakë. Edhe nëse vjen humbja, duhet të humbim me kokën lartë. Shpresoj të marrim epërsi, qoftë edhe minimale”, ka theksuar ai.
Ramadani ka konfirmuar se Mesa, Manaj dhe Broja do të mungojnë, por është shprehur i bindur se skuadra ka alternativa dhe mungesat nuk do të vërehen.
