Rama takon Kryetarin e Linzit: Bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm mes dy qyteteve
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një vizite në Linz të Austrisë, është takuar me homologun e tij, Dietmar Prammer, të cilit ia ka uruar mandatin e ri dhe i ka dëshiruar suksese në drejtimin e qytetit.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Linzit në fusha kyçe si arsimi, teknologjia dhe menaxhimi urban.
Rama theksoi se Linzi është një shembull i suksesshëm në menaxhimin e trafikut dhe krijimin e infrastrukturës moderne për biçikleta, një praktikë që tashmë po zbatohet edhe në Kryeqytetin e Kosovës.
“Pata një dialog të hapur me Kryetarin Prammer, me vlera të përbashkëta dhe një vizion të qartë për zhvillim të qëndrueshëm të qyteteve tona,” tha Rama.
Takimi konfirmon përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave për qytete më të gjelbra dhe më funksionale. /Kosova.info/
