Rama takon Këshillin e Lagjes Mati 1, diskuton shqetësimet e banorëve
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim përfaqësuesit e Këshillit të Lagjes Mati 1, një nga lagjet më të mëdha dhe më dinamike të kryeqytetit.
Gjatë takimit, u diskutuan hapur shqetësimet dhe nevojat e banorëve, me fokus në infrastrukturën, shërbimet publike dhe mirëqenien e komunitetit. Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët për të adresuar çështjet prioritare dhe për të marrë hapa konkretë në përmirësimin e kushteve të jetesës.
“Bashkëpunimi me komunitetin mbetet thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit tonë. Inkurajoj edhe banorët e lagjeve të tjera që të na drejtohen me kërkesat e tyre, sepse jemi gjithmonë të hapur për bashkëbisedim dhe veprim të përbashkët,” tha Rama.
Takimi vjen si pjesë e angazhimit të komunës për të përfshirë qytetarët në proceset vendimmarrëse dhe për të forcuar dialogun me komunitetin. /Kosova.info/
