Rama: Qeveria po bllokon qëllimisht buxhetin e Prishtinës, është ndëshkim ndaj qytetarëve

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokim të qëllimshëm të buxhetit të miratuar të Prishtinës duke e cilësuar këtë veprim si vendim politik që dëmton drejtpërdrejt mbi 300 mijë qytetarë.

Në një deklarim publik, Rama tha se nuk bëhet fjalë për vonesë teknike apo keqkuptim administrativ, por për një ndërhyrje të qëllimshme për ta dobësuar Kryeqytetin.

“Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit dhe është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo përpjekje për ta anashkaluar apo sabotuar atë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të rendit institucional”, deklaroi ai.

Sipas tij, bllokimi i buxhetit nënkupton ndalje të projekteve kapitale, përfshirë ndërtimin e shkollave, përmirësimin e infrastrukturës, investimet në çerdhe dhe zhvillimin ekonomik të qytetit.

“Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve”, theksoi Rama duke shtuar se Prishtina nuk është pronë e asnjë partie politike, por Kryeqyteti i Republikës.

Ai paralajmëroi se nëse kjo qasje vazhdon, Komuna e Prishtinës do të ndjekë çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të mbrojtur të drejtat e saj.

“Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve. Prishtina nuk do të heshtë, nuk do të frikësohet dhe nuk do të ndalet”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP