Rama: Qarkullim dykahor i përkohshëm në rrugën “Vicianum”, së shpejti nis ndërtimi i ishullit urban

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është realizuar një intervenim i përkohshëm në rrugën Vicianum, duke mundësuar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet. Ky intervenim synon të lehtësojë lëvizjen në lagjen Arbëria, veçanërisht për banorët e rrugëve Vicianum dhe Bashkim Fehmiu, si dhe të ulë ngarkesën në rrugën “Ahmet Krasniqi”.

Sipas Ramës, ndërhyrja është e përkohshme dhe trotuari në këtë zonë do të rikthehet në gjendjen e mëparshme pas fillimit të ndërtimit të shtyllave mbajtëse për projektin e ishullit urban, që parashihet në këtë segment të lagjes.

Ai ka theksuar se zona nuk lejon qarkullimin e mjeteve të rënda dhe u ka bërë thirrje këmbësorëve për kujdes të shtuar, pasi historikisht ky lokalitet ka qenë sfidues për ta, sidomos në kalimin e hekurudhës.

“Për sigurinë e qytetarëve, kemi paraparë që kalimi i hekurudhës dhe rrugës ‘Tirana’ të bëhet përmes ishullit urban. Ky intervenim i përkohshëm do të lehtësojë qarkullimin deri në përfundimin e projektit”, ka deklaruar Rama. /Kosova.info/


Go to TOP