Rama: Prishtina po shndërrohet në model global të diplomacisë urbane
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se është pritur nga Princi Dr. Faisal bin Abdulaziz bin Ayyaf, princi i Riadit dhe njëkohësisht arkitekt me formim nga Harvard University, gjatë pjesëmarrjes në “Samitin Ndërkombëtar të Qyteteve Evropiane dhe Arabe”.
Në këtë samit, ku morën pjesë 120 qytete nga mbarë bota, Prishtina u prezantua si një model frymëzues dhe shembull për reformimin urban.
“Ishte një kënaqësi e veçantë të pritesha nga Princi Faisal, i cili jo vetëm që udhëheq zhvillimin e Riadit, por ka krijuar një platformë të jashtëzakonshme bashkëpunimi për qytetet e botës,” deklaroi Rama.
Ai theksoi se perceptimi ndërkombëtar për Prishtinën po ndryshon ndjeshëm duke u shndërruar në një qendër të kulturës, artit dhe diplomacisë urbane.
“Jam veçanërisht i lumtur që Prishtina po perceptohet gjithnjë e më shumë si një model për qasjen e re në konceptualizimin e qyteteve të zhvilluara, me një imazh gjithnjë më pozitiv,” shtoi ai.
Rama theksoi se bashkëpunimet ndërkombëtare janë thelbësore për zhvillimin e kryeqytetit dhe për përfshirjen e qytetarëve të tij në procese moderne të hapjes dhe ndërkombëtarizimit.
“Kjo është një arritje që na nderon dhe na motivon të vazhdojmë me përkushtim drejt ndërtimit të një Prishtine moderne, të gjallë dhe globale,” përfundoi kreu i kryeqytetit.
Ky takim dhe pjesëmarrja e Prishtinës në samitin ndërkombëtar vlerësohen si hapa të rëndësishëm drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të qytetit dhe thellimit të diplomacisë urbane. /Kosova.info/
