Rama: Pastrohet deponia ilegale te shkolla “Asim Vokshi”, thirrje qytetarëve për më shumë përgjegjësi
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është pastruar një deponi ilegale pranë shkollës Shkolla “Asim Vokshi” duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pastërtisë në kryeqytet.
Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin hedhjen e mbeturinave në vende të palejuara, pasi kjo, sipas tij, rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.
Ai theksoi se institucionet po angazhohen maksimalisht për të mbuluar çdo pjesë të qytetit dhe për të adresuar ankesat e qytetarëve lidhur me hapësirat që janë shndërruar në deponi ilegale. Megjithatë, ai shtoi se pa bashkëpunimin e qytetarëve është e pamundur të parandalohet krijimi i tyre në çdo cep të Prishtinës.
“Pastërtia është përgjegjësi e përbashkët. Mbeturinat para derës suaj janë rreziku më i madh për ju vetë”, ka theksuar Rama duke bërë thirrje për më shumë vetëdije dhe bashkëpunim për një qytet më të pastër dhe më të shëndetshëm. /Kosova.info/
