Rama pas tensioneve në veri: BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për zhvillimet e fundit në veri, duke thënë se sulmet mbi EULEX-in dhe Policinë e Kosovës janë të dënueshme pa asnjë ekuivok, dhe se rishfaqja e barrikadave në veri bie ndesh me frymën e dialogut.

“Sulmet mbi EULEX-in janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!”, ka shkruar Rama në një cicërimë në Twitter.

Tutje, Rama tha se Beogradi duhet t’i përgjigjet me të njëjtën frymë, shtyrjes së datës së zgjedhjeve në veri, nga presidentja Vjosa Osmani.

“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!”, deklaroi ai.

Krejt në fund, Rama i bëri thirrje urgjente BE-së që të ftojë palën kosovare dhe atë serbe në takim.

“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”.

Go to TOP