LDK: Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e shqetësuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, kjo parti tha se sulmet ndaj institucioneve, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, si dhe barrikadimi e mbyllja e rrugëve, sipas LDK-së janë veprime të papranueshme.

“LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës. Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë”, thuhet në reagim.

LDK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri, përcjell Klankosova.tv.

“LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri. Në këto momente vendit i duhet lidership i vërtetë që do të veprojë me mençuri dhe vendosmëri; që në vend ndarjes e përçarjes siguron unitet të brendshëm e koordinim të ngushtë me aleatët tanë”, thuhet në reagimin e kësaj partie. /Kosova.info/

Go to TOP