Rama: Parku memorial dhe Biblioteka presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” po bëhet në zemër të Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se projekti për ndërtimin e Parkut memorial dhe Bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” është në fazë të avancuar dhe po merr formë në zemër të kryeqytetit.

Në një postim publik, Rama tha se ky projekt është një ndër më domethënësit në nivel kombëtar dhe përfaqëson një monument përkujtimi për arkitektin e pavarësisë së Kosovës dhe simbolin e urtësisë politike, presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Sot u mblodh komisioni vlerësues i konkursit ndërkombëtar, ku nga aplikimet e shumta janë përzgjedhur 6 propozime finale. Ato po vlerësohen nga një juri ndërkombëtare me reputacion të lartë,” bëri të ditur Rama.

Ai shtoi se ky projekt nuk është vetëm një investim në kulturë dhe histori, por edhe një akt i nderimit dhe përgjegjësisë kombëtare për ruajtjen e jetës, veprës dhe trashëgimisë së presidentit Rugova për brezat e ardhshëm.

“Do të ndërtohet një hapësirë që flet me gjuhën e kujtesës, krenarisë dhe identitetit tonë,” theksoi Rama duke e përshkruar këtë si një pikëtakim të shpirtit të shtetformimit me të ardhmen evropiane të Kosovës.

Kryetari e përmbylli mesazhin me moton: “Kjo është Prishtina që nderon, kujton dhe udhëheq!”. /Kosova.info/


Go to TOP