Rama ngre alarmin: Kryeqyteti përballet me valë zjarresh, një viktimë në 12 orët e fundit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve të zjarreve në kryeqytet, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët. Vetëm në 12 orët e fundit, në zonat fushore dhe malore të Prishtinës janë regjistruar 16 raste zjarresh, njëri prej të cilëve fatkeqësisht ka rezultuar me humbje jete.

Rama ka apeluar që qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë, duke theksuar se siguria është përgjegjësi e përbashkët. “Apelojmë për kujdes maksimal! Mos ndizni zjarre në natyrë dhe raportoni çdo rast urgjent në numrat e emergjencës të Kryeqytetit,” ka shkruar ai në një postim zyrtar.

Për çdo rast emergjent, qytetarët mund të kontaktojnë autoritetet përmes numrave të dedikuar:

📍 0800 12233

📍 0800 12244

Ekipet e zjarrfikësve janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e zjarreve të reja. Autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të raportojnë çdo vatër zjarri dhe të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur tragjedi të tjera. /Kosova.info/


Go to TOP