Rama: Marrëveshja me “Sunny Hill” ka qenë që të rishikohet çdo tre vjet, pas 25 vjetëve prona e dhënë në shfrytëzim mund t’i kthehej Komunës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media të mbajtur sot (e enjte) ka sqaruar situatën rreth anulimit të “Sunny Hill” në Prishtinë dhe zhvendosjes së këtij festivali në Tiranë.

Ai ka thënë se marrëveshja me festivalin ka qenë që të rishikohet çdo tre vjet dhe pas 25 vjetëve, prona e dhënë në shfrytëzim t’i kthehej Komunës.

Rama thekson se ‘numri 99’ është ai që i ka penguar Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL).

“Numrin 99 nuk e kam sjell unë, por e kam gjet këtu”, tha ai.

“Ashtu siç është përcaktuar, kontrata parasheh nëse tri vjet me radhë festivali Sunny Hill nuk bëhet për çfarëdo arsye atëherë automatikisht prona i rikthehet Komunës së Prishtinës. Hapësira e dhënë në shfrytëzim gjatë gjithë vitit do të jetë Park Publik i hapur për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa Komuna e Prishtinës gjatë vitit do të ketë në dispozicion 60 ditë për organizimin e festivaleve të tjera. Sa po të nënshkruhej kontrata, Komuna do ta krijonte organin mbikëqyrës. Në marrëveshje ka qenë rishikimi çdo tre vjet. Në 25 vjet, prapë rishikohet dhe mund t’i kthehet Komunës”, ka thënë Rama mes tjerash në konferencë.

Sa i përket përfitimeve ekonomike, i njëjti u shpreh se nga ky festival sivjet do të kishte rreth 12 deri në 15 milionë euro.

Kryetari i Prishtinës po ashtu beson që në vitin tjetër “Sunny Hill” do të rikthehet sërish në shtëpinë e vet, Prishtinë.

“Kam besimin e plotë se festivali Sunny Hill nga viti tjetër e tutje do të jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, pra këtu edhe ku e ka vendin”, përfundon Rama. 

Go to TOP