Rama: Koleksioni ukrainas vjen në Bibliotekën e Fëmijëve në Prishtinë, iniciativë e EBRD-së
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se një koleksion librash në gjuhën ukrainase do të vendoset në Bibliotekën e Fëmijëve në Pallatin e Rinisë.
Ky koleksion është iniciuar dhe sponsorizuar nga Drejtori i European Bank for Reconstruction and Development në Kosovë, Sergiy Maslichenko duke synuar të ofrojë mbështetje për fëmijët ukrainas të zhvendosur gjatë luftës, si dhe për familjet që jetojnë, punojnë apo vizitojnë Kosovën.
Sipas Ramës, ky koleksion do t’u shërbejë jo vetëm komunitetit ukrainas, por edhe të gjithë atyre që janë të interesuar për kulturën dhe gjuhën ukrainase, përfshirë edhe fillestarët që duan ta mësojnë atë.
Ai theksoi se Biblioteka e Fëmijëve synon të shndërrohet në një hapësirë ndërkombëtare gjithëpërfshirëse, ku çdo fëmijë, pavarësisht gjuhës apo prejardhjes, do të ndihet i mirëpritur.
Në fund, Rama ka shprehur mirënjohje për Maslichenkon dhe familjen e tij për kontributin në këtë iniciativë kulturore dhe arsimore. /Kosova.info/
