Rrahmani motivon Dardanët: 10 vite sakrificë për këtë moment

Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Sllovakinë në Bratislavë, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, por pa kapitenin Amir Rrahmani.

Mbrojtësi i Napolit mungon për shkak të një lëndimi të pësuar disa javë më parë, duke qenë kështu një mungesë e madhe për “Dardanët”.

Megjithatë, edhe pse jo fizikisht pranë ekipit, Rrahmani ka treguar mbështetjen e tij për bashkëlojtarët përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale.

“10 vite pritje dhe sakrificë për një ditë si kjo…”, ka shkruar kapiteni, duke rikujtuar rrugëtimin e gjatë të Kosovës që nga pranimi në UEFA dhe FIFA në vitin 2016.

Këtë sezon të garave, Rrahmani është përballur me probleme të shpeshta fizike, të cilat nuk i kanë lejuar të jetë gjithmonë i gatshëm për Kombëtaren. Sidoqoftë, ai tashmë ka rifilluar stërvitjet me Napolin dhe synon rikthimin e plotë në formë.

Kosova synon të bëjë hapin e madh drejt Botërorit 2026, por për këtë duhet të kalojë fillimisht Sllovakinë në gjysmëfinalen e “play-off”-it.

Në rast fitore, “Dardanët” do të përballen në finale me fituesin e duelit mes Turqisë dhe Rumanisë.


Go to TOP