Rama: Investim konkret për 200 familje në nevojë

Përmirësim banimi dhe efiçiencë energjetike në Hajvali dhe “Fusha e Pajtimit”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur përfundimin e një projekti të rëndësishëm për 200 familje nga kategoritë sociale dhe ato të dala nga lufta, të cilat përfituan drejtpërdrejt nga investimet në përmirësimin e kushteve të banimit.

Projekti është realizuar me bashkëfinancim nga Fondi për Efiçiencë dhe ka përfshirë ndërhyrje në zonat e Hajvalisë dhe “Fushës së Pajtimit”. Investimet kanë përfshirë ndërrimin e dritareve, izolimin e objekteve, instalimin e pajisjeve për ngrohje dhe ftohje (klima), si dhe rregullimin e kulmeve.

“Jo vetëm fjalë por vepra konkrete për ata që e kanë më së shumti nevojën”, u shpreh Rama duke theksuar se përveç përmirësimit të kushteve të banimit, ky projekt ka sjellë ulje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, duke kontribuar në lehtësimin financiar të këtyre familjeve.

Kreu i Prishtinës e cilësoi këtë ndërhyrje si një investim në jetë, dinjitet, drejtësi sociale dhe efiçiencë energjetike. /Kosova.info/

Go to TOP