Rama: Intervenuam në Veternik, sepse nevoja qytetare s’ka kufij administrativë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për një ndërhyrje të realizuar sot në trotuaret e rrugës së Veternikut, edhe pse ato nuk janë në kompetencë të komunës. Ai theksoi se këto hapësira janë nën menaxhimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, por prej kohësh kanë qenë të pakalueshme për qytetarët për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.
“Sot vendosëm të intervenojmë: t’i pastrojmë dhe të bëjmë sanimet e duhura, në mënyrë që të jenë të qasshme, të sigurta dhe funksionale për këmbësorët,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se pavarësisht ndarjes formale të përgjegjësive, kujdesi për hapësirën publike duhet të udhëhiqet nga nevoja qytetare.
“Kryeqyteti është i të gjithëve dhe secila ndërhyrje që e lehtëson jetën e qytetarit është hap drejt një Kryeqyteti më funksional, më të drejtë dhe më të jetueshëm,” tha ai. /Kosova.info/
