Rama i VV-së thirrje për bojkot: Paraja s’e ndryshon historinë, Devollët e shohin Kosovën si Serbi

Sekretari organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Alim Rama, ka reaguar ashpër kundër kompanisë Devolli dhe mediumit Klan Kosova duke i akuzuar për mohimin e shtetësisë së Kosovës dhe për afinitet me narrativat serbe.

Përmes një deklarate publike, Rama theksoi se “paraja nuk mund ta ndryshojë historinë”, ndërsa i quajti “pazarxhinj të ultë” ata që, sipas tij, mohojnë sakrificën e popullit shqiptar dhe përpiqen të përfaqësojnë Republikën e Kosovës nga pozita e armikut.

“Pronarët e kompanisë Devolli e të mediumit Klan Kosova janë të vetëdijshëm për gjenocidin mbi popullin shqiptar, por Pejën dhe Gjakovën e Republikës së Kosovës ata i quajnë Pec e Djakovica të Serbisë, kurse veten e tyre shtetas serb,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se nuk mund të ndryshohet kombësia për të shtuar pasurinë dhe se gjenocidi që Serbia ka kryer në Kosovë nuk harrohet dhe nuk falet.

Rama u bëri thirrje të gjithë anëtarëve, aktivistëve, votuesve dhe mbështetësve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që t’i bojkotojnë produktet e kompanisë Devolli duke theksuar se ky është një veprim për nder të gjakut të derdhur për liri në të gjitha anët e Kosovës.

“Për Pejën e për Gjakovën, për Kosovën anekënd sovrane e të pavarur, është derdhur gjak dëshmorësh e martirësh të panumërt… Duhet t’i bojkotojmë këta pazarxhinj të ultë që mohojnë shtetin tonë,” përfundoi Rama. /Kosova.info/

Go to TOP