Rama falënderon ekipet e emergjencës: Mbi 30 intervenime në të gjitha zonat e Kryeqytetit brenda një dite

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për të gjitha ekipet institucionale që gjatë ditës së sotme kanë realizuar mbi 30 intervenime në zona të ndryshme të Prishtinës duke garantuar sigurinë dhe shërbimet për qytetarët.

Sipas Ramës, intervenimet janë realizuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, Drejtoria e Investimeve Kapitale, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Kompania Gjelbër, Policia e Kryeqytetit, si dhe nga njësitë e Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve (BPZ).

Ai ka theksuar se të gjitha ndërhyrjet janë zhvilluar me angazhim maksimal të ekipeve në terren, reagim të menjëhershëm dhe koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional duke u përballur me situata të ndryshme në shërbim të qytetarëve.

“Si Kryetar i Kryeqytetit, shpreh falënderim dhe mirënjohje të veçantë për të gjithë zyrtarët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e angazhuar, për përkushtimin, vetëmohimin dhe punën e palodhshme në shërbim të qytetarëve dhe Kryeqytetit”, ka deklaruar Rama.

Në mënyrë të veçantë, ai ka falënderuar edhe Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, për kontributin dhe angazhimin e tij në menaxhimin dhe koordinimin e situatës.

Rama ka theksuar se Kryeqyteti do të mbetet në gatishmëri të plotë për të reaguar ndaj çdo situate duke nënvizuar mesazhin: “Bashkë për qytetarët” 🤝. /Kosova.info/


Go to TOP