Rama: Faik Rexhepi, simbol i paharruar i rezistencës për liri
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Faik Rexhepit, një prej figurave të paharruara të rezistencës shqiptare kundër regjimit të Millosheviqit. Ai e cilësoi këtë humbje si një dhimbje të madhe për popullin shqiptar dhe për të gjithë ata që luftuan për liri dhe drejtësi në kohët më të errëta të historisë së Ballkanit.
Rama theksoi se qëndrimi i Rexhepit në protestën historike të 29 gushtit 1990 e ktheu atë në një simbol të qëndresës për liri, duke e bërë të pavdekshëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Ai shtoi se Prishtina do të mbajë me krenari skulpturën e Faik Rexhepit, e cila do të shërbejë si një kujtesë për brezat e ardhshëm mbi sakrificat dhe guximin e nevojshëm për lirinë. “Kjo skulpturë mbetet simbol i përjetshëm i krenarisë kombëtare, një testament i vlerave të lirisë që ai i mishëroi me jetën e tij,” u shpreh Rama.
Faik Rexhepi nga Presheva do të kujtohet gjithmonë si një figurë e devotshme ndaj kombit dhe një simbol i lavdisë.
“Pastë dritë shpirti yt, Faik!” përfundoi mesazhin e tij Përparim Rama. /Kosova.info/
