Rama: Ballkani, hallkë e dobët, lufta mund të vijë deri këtu
Gjatë konferencës me homologen finlandeze, Sanna Marin, Kryeministri Edi Rama ka përsëritur se nuk ka pritshmëri për çeljen e negociatave për vendin tonë, por tha se shtetet përfshirë Finlandën janë duke bërë gjithçka që Bullgaria të heqë veton duke hapur rrugën europiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Rama shtoi se vendi ynë mbështet anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
“Së bashku jemi në një front kundër agresionit rus në Ukrainë dhe Finlanda ka shumë për të na mësuar ne dhe të gjithëve për shkak se e njeh shumë mirë agresorin dhe natyrën e tij. Duke qenë një vend që në të shkuarën ka pasur mundësi të nxjerrë mësime nga fqinjësia me Rusinë, ka një zë të respektueshëm për të kuptuar rëndësinë e rezistencës dhe lidhjes që disa nuk dua ta bëjnë mes asaj që ndodh në Ukrainë dhe asaj që mund të vijë deri këtu.
Ballkani është një hallkë e dobët delikate dhe për këtë arsye eksperienca dhe fjala e Finlandës ka shumë rëndësi. Folëm me kryeministren për atë që nuk vjen në ditët e ardhshme, lidhur me çeljen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për ne dhe Maqedoninë e Veriut, i dhashë që nuk pres asgjë të re nga takimi, por vendet po përpiqen me Bullgarinë për të hapur shteg të arsyes dhe për të çliruar procesin.
Ne mbështesim me gjithë besimin dhe bindjen tonë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, janë vlerë e shtuar dhe në kushtet e sotme dyert e aleancës duhet të jenë të hapura për këto dy shtete. Ndjehemi të privilegjuar që na jepet mundësia të bëjmë diçka për Finlandën, kjo nuk është pak. Dua ti uroj kryeministres çdo të mirë. Kur erdhi më tha koha është e bukur, shpresoj që vizita edhe pse e shkurtër të bëjë kryeministres të vijë edhe me vajzën e vogël dhe bashkëvuajtësin“, është shprehur Rama.
Kryeministrja finlandeze ka shprehur mbështetjen e vendit të saj për integrimin e Shqipërisë në BE dhe gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Jam shumë e lumtur që jam në Tiranë. Shqipëria dhe Finlanda kanë tashmë një marrëdhënie shumë të mirë që daton në 1956 kur Evropa dukej ndryshe. Po punojmë fort për ta avancuar integrimin evropian. Ajo që është më e rëndësishme është se jemi bashkë për të ndihmuar Ukrainën. Agresioni rus e ka ndryshuar për breza të tërë brezin tonë të sigurisë. Ne bashkë me Suedinë paraqitëm aplikimin për në NATO. Dua t’ju falenderoj për mbështetjen tuaj të fortë dhe të qartë. Shqipëria është një mbështetje e vendosur e politikës së dyerve të hapura të NATO. Zëri juaj dërgon mesazh të rëndësishëm për Rusinë. Finlanda dhe Suedia do ta bëjnë aleancën më të fortë. Duhet të intensifikojmë mbështetjen ndaj Ukrainës në mënyrë që ta bëjmë Rusinë të ndalë agresionin e saj. Ne dum të shohim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Duam të mbështesim Shqipërinë për anëtarësimin e saj në BE. Nuk ka marrëdhënie më të thellë mes kombeve përveçse të jenë aleatë”.
Kryeministrja e Finlandës vjen në Shqipëri, në një kohë kur Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e NATO-s, pas agresionit rus të nisur në Ukrainë. Shqipëria ka qenë mbështetëse ndaj zgjerimit të aleancës dhe përfshirjen në të, të Finlandës dhe Suedisë.
Kërkesa e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën perëndimore të mbrojtjes u bë një muaj më parë në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainë. Anëtarësimi rrezikohet me veton e Turqisë. Kjo e fundit i ka akuzuar për mbështetjen dhe strehimin e militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që ajo i konsideron terroriste.
