Qytetarët më të vëmëndshëm të mos blejnë produkte të Serbisë 

Teksa Kosova e Serbia ballafaqohen politikisht në Bruksel, në aspektin ekonomik Serbia ka një shtrirje të konsiderueshme përmes mallrave të saj në tregun e Kosovës.

Por së fundmi në vend është aktivizuar një fushatë në përkrahje të produkteve vendore të Kosovës. Ka qytetarë që tashmë i janë përgjigjur kësaj thirrjeje, por ka edhe biznese të cilat me raste, tek mallrat serbe, vendosin flamuj të Kosovës por edhe shteteve të tjera.

Ministria e Tregtisë ka bërë të ditur se tashmë i ka rritur inspektimet pas raportimeve për këtë çështje.

Enver Krasniqi kishte dalë në njërin prej marketeve në vend për të blerë ushqimet për këtë muaj. Ai thotë se të gjitha produktet që bleu janë produkte vendore.

 “100% i perkrahim. Apeloj që të vetëdijësohemi e t’i eliminojmë produktet serbe”, tha Krasniqi për RTK-në. Njësoj veproi edhe Fikred Dedinca.

 “Sa po i perfundova edhe blerjet. Prodhimet vendore i konsumoi gjithë”, tha Dedinca.

Përkrahje ndaj produkteve vendore po japin edhe biznese të ndryshme. Sylejman Neziri, pronar i një biznesi në Ferizaj, thotë se mban më shumë produkte vendore për shkak se konsideron se paraja të cilën e shpenzojnë qytetarët duhet të mbetet në vend.

 “Prodhimet vendore i kam përkrah që pas luftës. Me arsye që më mirë paraja të sillet në vendin tonë se diku tjeter”, thotë Neziri, pronar biznesi.

Por situatë e njëjtë nuk qëndron me disa nga pronarët e tjerë në vend. Siç raportojnë disa qytetarë në rrjetet sociale,  shumë nga produkteve e shtetit serb, por edhe ato të vendeve të tjera po u vendosen flamujt e Kosovës si dëshmi origjine.

Në lidhje me këto raste, Ministria e Tregtisë ka njoftuar deri më tani kanë evidentuar mbi 30 raste të tilla.

Sipas kësaj ministrie, në rastet kur Inspektorati i Tregut ka konstatuar që shitësit nuk kanë vendosur etiketën apo kanë bërë ndërrim të etiketës së flamurit të origjinës së produktit, janë ndëshkuar me gjobë nga një mijë deri në dhjetë mijë si masë ndëshkuese.

Për këtë, Selatin Kaçaniku, aktivist për të drejta të konsumatorit, thotë së duhet më shumë përpjekje nga shteti për mbrojtjen e prodhimeve vendore.

Të dhënat nga Dogana e Kosovës të prezantuara së fundmi tregojnë se gjatë vitit 2022,  importi i produkteve nga Serbia ishte 370 milionë euro.

 Sipas këtij institucioni, prania e produkteve serbe në Kosovë ka pësuar rënie në krahasim me vitet 2017 ose 2018.

Go to TOP