Vazhdohet afati për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) njofton të gjithë fermerët dhe subjektet e interesuara se me vendim të Ministrit, është zgjatur afati për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026 edhe për 10 ditë, me qëllim që të gjithë fermerët të kenë mundësi të përfundojnë aplikimet e tyre.
Afati i ri për aplikim është:
Fillimi i afatit shtesë: 22 korrik 2026
Përfundimi i afatit: 31 korrik 2026, ora 16:00
Aplikimet vazhdojnë të dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.
Programi i Pagesave Direkte 2026 është ridizajnuar në përputhje me harmonizimin gradual me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP) dhe përfshin katër shtylla kryesore të mbështetjes:
Pagesa Bazë për të Ardhura sipas Sipërfaqes, për kulturat bujqësore të pranueshme;
Pagesat Rishpërndarëse, për hektarët e parë të fermës dhe fermerët e rinj;
Pagesat e Lidhura me Prodhimin dhe Cilësinë, për sektorët prioritarë të bujqësisë dhe blegtorisë;
Eko-Skemat, për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.
Fermerët që ende nuk kanë aplikuar ftohen të shfrytëzojnë këtë afat shtesë dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas kategorisë së mbështetjes për të cilën aplikojnë.
Ministria rikujton se kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacioni ndryshojnë sipas sektorëve dhe masave mbështetëse, ndërsa gjatë kontrolleve administrative dhe kontrolleve në terren do të zbatohen dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte në Bujqësi.
Për informata të hollësishme lidhur me kriteret e pranueshmërisë, dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurat e aplikimit, fermerët mund t’i drejtohen MBPZhR-së, Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) ose Drejtorive Komunale për Bujqësi.
MBPZhR dhe AZHB ftojnë të gjithë fermerët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë brenda afatit të ri, deri më 31 korrik 2026, në ora 16:00. /Kosova.info/
