OVL UÇK: Vendimi i sotëm i Speciales dëshmon karakterin e saj politik

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së së bashku me Shoqatën e Invalidëve të Luftës dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve përmes një reagimi ka shprehur pakënaqësinë e tyre të thellë me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, e cila konfirmoi dënimin ndaj bashkëluftëtarit të tyre Pjetër Shala, duke e ulur atë në 13 vjet burgim.

“Edhe pse dënimi është ulur, ne kemi pritur me bindje të plotë një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë, dhe në luftën tonë të drejtë për çlirim”, thuhet në reagim.

Tutje theksohet se ky aktgjykim në vend që të përmbyllë padrejtësinë “veçse e thellon bindjen tonë se kjo gjykatë ka karakter politik dhe nuk e trajton drejtësinë mbi baza të barabarta e të paanshme”.

“UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta, e vërteta historike është në anën tonë, dhe bashkëluftëtarët tanë nuk do t’i nëpërkëmbë askush me procese të motivuara politikisht. Liria nuk gjykohet, ajo respektohet”, thuhet tutje në reagim. /Kosova.info/


Go to TOP