Qorrolli: Albin Kurti mund të mandatohet nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Kushtetuta nuk lejon bllokada
Juristi dhe zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka reaguar ndaj interpretimeve që, sipas tij, synojnë të pengojnë caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë nga ushtruesja e detyrës së Presidentes.
Përmes një postimi publik, Qorrolli ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës nuk përmban asnjë ndalim që ushtruesi i detyrës së Presidentit të caktojë mandatarin për Kryeministër duke e cilësuar të pabazuar tezën se ky funksion nuk mund të ushtrohet në rrethanat aktuale.
Sipas tij, ushtruesi i detyrës së Presidentit nuk është një figurë protokollare me kompetenca të kufizuara, por ushtron plotësisht funksionin presidencial deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ai argumenton se nenet 84 dhe 95 të Kushtetutës e trajtojnë caktimin e mandatarit si detyrim kushtetues të institucionit të Presidentit dhe jo si privilegj personal të bartësit të funksionit.
Qorrolli ka kundërshtuar interpretimet që, sipas tij, nxirren nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për të penguar formimin e institucioneve duke theksuar se kufizime të tilla nuk mund të krijohen përmes komenteve apo hamendësimeve politike.
Ai ka shtuar se, pas konstituivit të Kuvendit dhe propozimit nga subjekti fitues, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mund ta caktojë Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë duke e cilësuar këtë si zbatim të drejtpërdrejtë të normave kushtetuese dhe respektim të vullnetit demokratik të qytetarëve.
Në përfundim, Qorrolli theksoi se Kushtetuta nuk është ndërtuar për të prodhuar bllokada institucionale, por për të garantuar funksionimin e shtetit dhe shndërrimin e vullnetit të qytetarëve në institucione funksionale. /Kosova.info/
