Qirezi: Urrejtja patologjike në Ballkan po ushqehet edhe nga propaganda hibride, shqiptarët në shënjestër

Analisti Arben Qirezi ka ngritur shqetësimin për, siç e quan ai, një “urrejtje socio-psiko-patologjike” që po shfaqet gjithnjë e më shpesh në disa faqe historiko-gjeografike me fokus Ballkanin, duke e cilësuar këtë fenomen si një rrezik serioz për bashkëjetesën paqësore mes popujve të rajonit.

Sipas Qirezit, shoqëritë ballkanike vazhdojnë të jenë të mbushura me nacional-shovinizëm, një mendësi që tashmë po transmetohet edhe te gjeneratat e reja, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm urrejtjeje dhe përjashtimi.

Ai thekson se kjo urrejtje, e cila sipas tij ka karakter patologjik dhe kërkon studim e trajtim psikosocial, në shumicën e rasteve është e drejtuar kundër shqiptarëve.

“Është një urrejtje e thellë, e organizuar në diskurs dhe narrativë, që shkon përtej debatit historik apo akademik,” shprehet Qirezi.

Më tej, ai ngre edhe dyshime serioze se disa nga këto faqe, të cilat sipas tij shfaqen edhe pa kërkim apo vullnet të përdoruesve, mund të jenë pjesë e propagandës hibride të nxitur nga Moska, me synim nxitjen e ekstremizmit dhe destabilizimin e Ballkanit.

“Këto platforma mund të shërbejnë si instrumente për thellimin e përçarjeve etnike dhe politike në rajon,” vlerëson Qirezi, duke apeluar për vëmendje institucionale dhe akademike ndaj këtij fenomeni.

Sipas tij, luftimi i kësaj mendësie kërkon jo vetëm reagim politik, por edhe angazhim serioz shoqëror, arsimor dhe mediatik për të ndalur normalizimin e urrejtjes dhe ekstremizmit në diskursin publik. /Kosova.info/


Go to TOP