Qirezi: Ekspozita, goditje e rëndë për Kosovën
Analisti Arben Qirezi ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës për krimet e luftës në Kosovë duke e cilësuar atë si një dëm serioz moral dhe institucional për vendin.
Në reagimin e tij, Qirezi ka kritikuar autorin e ekspozitës, Shkëlzen Gashi duke e akuzuar për shtrembërim të narrativës mbi krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Ai ka shprehur gjithashtu kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e lidhur promovimin e kësaj ekspozite me, siç tha ai, përfitime politike dhe mbështetje ndaj individëve të afërt.
Qirezi ka ngritur pikëpyetje edhe për rolin e institucioneve shtetërore duke përmendur faktin se Kosova tashmë ka struktura përkatëse për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Sipas tij, financimi i një projekti të tillë jashtë këtyre mekanizmave është i pajustifikueshëm.
Ai ka kërkuar përgjegjësi nga Albulena Haxhiu duke theksuar se ishte detyrë e saj që të shqyrtonte në detaje përmbajtjen dhe saktësinë e të dhënave të paraqitura në ekspozitë para se të miratohej financimi nga Kuvendi i Kosovës.
Në fund, Qirezi ka bërë thirrje për përgjegjësi politike, ligjore dhe penale lidhur me këtë çështje duke paralajmëruar se, sipas tij, po dëmtohet rëndë imazhi i Kosovës dhe po rihapen plagët e së kaluarës. /Kosova.info/
