Zgjatet mandati i Komisionit që verifikon statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar ndryshime dhe plotësime në vendimin e saj të mëparshëm Nr. 06/143 të datës 28 prill 2017, i ndryshuar disa herë më parë.

Në bazë të këtij ndryshimi të fundit, është zgjatur mandati i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës deri më 15 maj 2028.

Gjithashtu, është vendosur që afati për dorëzimin e kërkesave për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës të zgjatet deri më 15 maj 2027 duke u dhënë mundësi viktimave që ende nuk kanë aplikuar, të realizojnë të drejtën e tyre.

Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe ndryshimi në përbërjen e Komisionit, ku znj. Kimete Haxholli është emëruar në cilësinë e Udhëheqëses së Divizionit për Përpunim dhe Arkivim në IKKL, sipas përditësimit të Vendimit Nr. 16/48 të datës 7 dhjetor 2020.

Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në përkushtimin institucional për adresimin dhe njohjen e vuajtjeve të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe garanton vazhdimësinë e procesit të verifikimit dhe mbështetjes për këtë kategori të ndjeshme. /Kosova.info/


Go to TOP