Qendra Korrektuese në Lipjan me programe rehabilituese për të mitur

Përmes programit `Tops` Qendra Korrektuese e Lipjanit ka për qëllim krijimin e një mjedisi që ndihmon në transformimin dhe përgatitjen e të miturve për rikthim në shoqëri.

Ky program i zhvilluar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, ofron një qasje të personalizuar, me aktivitete arsimore, psikologjike dhe sociale që synojnë zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve.

Sipas Shërbimit Korrektues, qëllimi kryesor është që të rinjtë të kenë mundësi të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, duke u larguar nga sjelljet negative dhe duke marrë aftësi dhe vlera që i ndihmojnë për një jetesë të shëndetshme dhe të përgjegjshme pas përfundimit të dënimit.

Në videon e shpërndarë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës thuhet se ky program synon të ndihmojë të miturit që kanë kryer vepra penale të përmirësojnë sjelljen dhe qasjen e tyre ndaj jetës, të identifikojnë dhe sfidojnë modelet negative të të menduarit që shpesh qojnë në veprime problematike.

Një komponent i rëndësishëm i programit sipas tyre është menaxhimi i zemërimit ku të miturit marrin pjesë në seanca ku diskutojnë me trajnerët mënyrat për të identifikuar e menaxhuar zemërimin në mënyrë të shëndetshme.

E për këtë foli edhe një i mitur që tha se ky program i ka ndihmuar të menaxhojë zemërimin e të ikë nga problemet. /Kosova.info/

Go to TOP