Qendër e re arkeologjike pranë Korçës

Një qendër e re arkeologjike i shtohet trashëgimisë së pasur kulturore dhe arkeologjike të zonës së Korçës.

Lajmin e bëri të ditur prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i cili ka qenë personalisht për të parë nga afër punimet e ekspeditës arkeologjike shqiptaro-franceze.

Kërkimet e fundit të ekipit shqiptaro-francez të drejtuara nga dr. Rovena Kurti Ruka (Instituti i Arkeologjisë) dhe prof. Armelle Gardeisen (Universiteti i Montepellier), kanë nxjerrë në dritë dëshmitë e para arkeologjike të një vendbanimi kodrinor mbi fshatin Barç, që njihet nga vendasit me emrin “Kalaja e Barçit”.

Gjatë kësaj ekspedite janë duke u zbuluar gjurmë arkitekturore të periudhave të ndryshme, tregues të banimit të vazhdueshëm në këtë vend gjatë periudhës së hekurit dhe asaj qytetare ilire, rreth 2800 vjet më parë.

Prefekti Jole tha se, studiuesit e angazhuar në projekt do sjellin të dhëna nga aspekte të ndryshme të jetës së komunitetit të vendosur në këtë vendbanim, i cili ofron një tjetër potencial turistik për rrethin e Korçës e më gjerë.

Go to TOP