Putini hap televizionin e tij propagandues në Serbi, derisa e tërë BE-ja e ka ndaluar transmetimin e “Russia Today”

Televizioni rus “Russia Today” që konsiderohet si “zëdhënësi” i Kremlinit dhe mbështet fuqishëm politikat e presidentit rus Vladimir Putin, do të hap zyrën e saj në Serbi, merr vesh nova.rs.

Fjala është për televizionin që vendet e Bashkimit Evropian e kanë ndaluar transmetimin për shkak të nxitjes dhe mbështetjes së agresionit rus në Ukrainë.

Se po bëhet gati hapja e këtij kanali televiziv në Serbi, e ka konfirmuar Lubinka Milinçiq, kryeredaktorja e Sputnik Serbia.

“Po, është e vërtetë. Nuk do të fillojë tani punën në Serbi, por po përgatitet hapja”, shtoi ajo.

E siç merr vesh nova.rs, në krye të këtij televizioni të Kremlinit do të jetë e bija e Milinçiqit, informacion ky të cilin vet ajo nuk e pohoi e as mohoi.

Ndryshe, Këshilli i BE-së qysh në mars vendoi të ndalë distribuimin e mediave shtetërore ruse siç janë “Russia Today” dhe “Sputnik” për tërë territorin e BE-së.

Siç është bërë e ditur nga Këshilli i BE-së, sanksionet nënkuptojnë ndaljen e distribuimit, si në kabllor, satelitor, platformat IPTV, ueb-faqe e aplikacione.

Në Bruksel kanë vlerësuar se këto dy televizione janë instrument i rëndësishëm për nxitjen dhe mbështetjen e agresionit rus kundër ukrainasve, dhe se paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për rendin dhe sigurinë publike në BE. 

Go to TOP