PSG merr fitore në sekondat e fundit ndaj Nice
Paris Saint-Germain ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Nice në “Parc des Princes”, falë një goli të Gonçalo Ramos në kohën shtesë të ndeshjes.
Nice kishte ardhur në Paris pas tri fitoreve rresht në kampionat, por pjesa e parë ka qenë e dobët nga të dyja anët. PSG ka pasur dy raste të mira, por portieri mysafir Yehvann Diouf ka bërë pritje vendimtare ndaj Barcola dhe Hakimi.
Në pjesën e dytë, PSG ka vazhduar trysninë, por sërish Diouf ka qenë i pamposhtur deri në minutat e fundit, duke ndalur edhe një goditje të fortë të Vitinha.
Mirëpo, me aksionin e fundit të lojës, pas një korneri, topi ka shkuar te Khvicha Kvaratskhelia, i cili e ka çuar tek Gonçalo Ramos, e ai me kokë e ka futur në rrjetë, duke i dhënë PSG-së tri pikë shumë të rëndësishme.
Me këtë fitore, PSG forcon vendin e parë në Ligue 1, ndërsa Nice rrezikon të largohet më shumë nga zona e vendeve evropiane.
