Kurti nis fushatën dy ditë para kohe në Prishtinë: Qytetarët ta vulosin me vota ndryshimin
Lëvizja Vetëvendosje ka hapur zyrtarisht fushatën për raundin e balotazhit në Prishtinë, dy ditë para afatit të përcaktuar zyrtarisht. Në tubimin e mbajtur në kryeqytet, mandatari Albin Kurti, i cili nuk arriti ta formojë qeverinë e re pas mungesës së votave në Kuvend, u bëri thirrje qytetarëve që më 9 nëntor të votojnë kandidatët e partisë që ai drejton.
Në fjalimin e tij para mbështetësve, Kurti tha se këto zgjedhje janë një mundësi për qytetarët që ta “vulosin ndryshimin” përmes votës duke theksuar se Vetëvendosje ka dëshmuar rezultate konkrete në qeverisje, si rritja e pagave, pensioneve, bursave për studentë dhe shtesave për fëmijë.
“Këto zgjedhje janë për ju, sepse ju e keni në dorë që ta vulosni ndryshimin, të votoni për atë parti që në nivelin qendror ka rritur ndjeshëm rrogat e pensionet, bursat për studentë e shtesat për fëmijë, ndërsa në nivelin lokal kudo që kemi qeverisur kemi investuar shumë më tepër se sa paraardhësit tanë nga të cilët trashëguam vetëm borxhe”, tha Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë në balotazh për kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje në të gjitha komunat ku do të zhvillohet raundi i dytë më 9 nëntor duke e cilësuar këtë proces si votë kundër “bllokuesve dhe blloqeve të prapaskenës”.
“Populli i Kosovës ka patriotizëm shembullor e rini moderne. Keni për ta parë se ky popull do të votojë në balotazh dhe do të votojë kundër bllokimit e blloqeve të prapaskenës. Blloqet bllokuese do të bllokohen, e komunat anembanë do të zhvillohen”, tha Kurti.
Në këtë tubim, Kurti i kërkoi mbështetje qytetarëve të Prishtinës për kandidatin e Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku duke e cilësuar atë si “ministrin më të suksesshëm për investime” dhe me një “mision të veçantë për kryeqytetin”.
Nga ana e tij, kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, u zotua për një Prishtinë më funksionale dhe më të zhvilluar duke theksuar se buxheti komunal do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të grupeve të caktuara të interesit.
“Ne po bëhemi bashkë për shkolla më të mira për kryeqytetin, për më shumë çerdhe që prindërit dhe gratë të kenë mundësi të aktivizohen në tregun e punës. Po bëhemi bashkë për një Prishtinë të sportit, pasi i presim Lojërat Mesdhetare. Ne po bëhemi bashkë për përkujdesje për të gjithë që kanë nevojë, ku buxheti nuk i shërben grupeve të caktuara, por për t’i adresuar hallet e qytetarëve”, deklaroi Çeku.
Gjatë këtij tubimi, Kurti bëri fushatë edhe për kandidatët e Vetëvendosjes në 12 komunat e tjera, të cilët mbajtën fjalime të shkurtra para qytetarëve.
Në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, Vetëvendosje ka fituar në tri komuna – Shtime, Podujevë dhe Kamenicë, ndërsa është në balotazh në 12 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, Gjakovën, Pejën, Vitinë, Kaçanikun, Vushtrrinë, Fushë-Kosovën, Obiliqin, Rahovecin dhe Gjilanin. /Kosova.info/
