Shehu: Do t’i ndalim keqpërdorimet me grantet bujqësore, subvencionet t’u shkojnë fermerëve të vërtetë të Junikut
Kryetari i Komunës së Junikut dhe kandidati për një mandat të dytë, Ruzhdi Shehu, ka premtuar se gjatë qeverisjes së ardhshme komunale do të ndërmerren masa të forta ligjore për të parandaluar keqpërdorimet me subvencionet dhe grantet e Ministrisë së Bujqësisë.
Në një adresim drejtuar qytetarëve të Junikut, Shehu theksoi se Komuna do të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e linjës duke ofruar të dhëna të sakta për fermerët që realisht merren me bujqësi në territorin e Junikut. Ai shtoi se do të monitorohen dhe raportohen të gjitha rastet e keqpërdorimeve.
“Do të bëjmë çmos që grantet dhe subvencionet të shkojnë te ata që me të vërtetë janë bujq e fermerë të Junikut, sepse ata janë heronjë të vërtetë që e zhvillojnë ekonominë tonë lokale dhe sigurojnë ushqim të shëndetshëm për të gjithë,” u shpreh Shehu.
Ai gjithashtu u ndal te rastet e dyshuara të përfitimeve të pajustifikuara duke përmendur kundërkandidatin e tij, Agron Kuçi.
“Ndihem shumë keq kur dëgjoj se kundërkandidati im përmes familjarëve paska përfituar me qindra mijëra euro për një pemishte që sot është e djegur, e në të cilën s’është parë asnjë fryt. E njëjta vlen edhe për pendën e ujit, e cila nuk ekziston më, ndonëse për të është përfituar një grant prej 160 mijë eurosh,” tha ai.
Shehu theksoi se këto mjete, po të shpërndaheshin te bujqit e ndershëm, do të kishin ndihmuar shumë në zhvillimin e sektorit bujqësor të Junikut.
“Sidoqoftë, unë nuk do të merrem me këtë çështje, sepse mendoj që duhet të vlerësohet nga vetë bujqit dhe organet kompetente. Le të mbetet në ndërgjegjen e secilit, nëse ende ka mbetur ndonjë pikë ndërgjegjeje,” përfundoi Shehu duke uruar bekime për bujqit dhe fermerët e vërtetë të Junikut. /Kosova.info/
