Pse turku s’u pranua në 5 konkurse për shef të sigurimit? “Sqarohet” gjykata
Kiks Kosova ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila ishte edhe punëdhënësja e ish-shefit të sigurimit, Ergjan Sherif, të dijë se pse ky i fundit nuk ishte pranuar në 5 konkurset e tjera në të cilat kishte aplikuar pasi ishte larguar nga puna.
Po ashtu, Kiksi vazhdimisht ka kërkuar të dijë se cilat kritere i kishte plotësuar kundër kandidati, i cili gëzon pozitën e shefit të sigurimit të gjykatës, e të cilat nuk i kishte plotësuar Ergjani. Mirëpo, nga ky institucion i drejtësisë nuk kanë kthyer përgjigje specifikisht për pyetjet e parashtruara.
Nga gjykata i thanë Kiksit që lidhur me përgjigjet të cilat është duke i kërkuar, t’i referohet aktgjykimit të 20 shtatorit të vitit 2023, i cili ishte edhe verdikti final i këtij rasti e me të cilën sipas tyre gjykata e ka trajtuar në mënyrë meritore këtë çështje.
Në akt gjykimin e shpallur më 20 shtator të vitit të kaluar, gjykata e pati refuzuar si të pabazuar padinë e Ergjanit, përmes së cilit pati kërkuar të anulohet vendimi i i Këshillit të Pavarur, të kompensohej me shumën prej mbi 32 mijë eurove dhe të kthehej në punë.
Si rrjedhojë, gjykata e kishte vlerësuar si të bazuar vendimin e Këshillit të Pavarur, që e kishte anuluar konkursin përmes së cilit kishte dal fitues Ergjan Sherif.
Përmes kësaj shkrese, Gjykata Themelore e Prishtinës ka nënvizuar se nuk ka nevojë të provohen faktet që i ka vërtetuar Gjykata në gjykime të mëhershme, gjë që çoi deri në hedhjen poshtë të padisë së Ergjan Sherif.
Lidhur me dyshimet e ngritura nga Ergjan Sherif, se përkatësia e nacionaliteti turk u bë shkak i largimit të tij nga puna, njohësit e drejtësisë e kanë mohuar një gjë të tillë.
Ndërkaq, avokati Florim Shefqeti në këtë rast e sheh si jo të duhur përfshirjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si palë të paditur.
Më 24 prill të këtij viti, Ergjan Sherif, kishte dërguar një e-mail në adresë të kryetares së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani Rama, nga e cila kishte kërkuar një takim zyrtar me të, lidhur me siç është shprehur ai padrejtësitë që iu kanë bërë nga sistemi i drejtësisë.
Kiksi ka kërkuar nga kryetarja të dijë nëse e ka marr parasysh kërkesën e këtij të fundit, mirëpo deri më tani shefja e gjykatës, nuk ka kthyer përgjigje.