Pse po bërtet Albin Kurti?
Shkruan: Emanuel DEMAJ
Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministër i Kosovës, është njohur gjatë karrierës së tij politike për tonin racional dhe artikulimin e ideve me qetësi, por në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, një ndryshim i dukshëm në stilin e tij të komunikimit ka ngjallur debat dhe pyetje të shumta, gjatë tubimeve me elektoratin, Kurti ka zgjedhur një retorikë më të ashpër, shpesh të shoqëruar me rritje të tonit dhe deri në bërtitje, gjë që bie në kontrast me imazhin e tij më të matur të viteve të fundit.
Një nga shpjegimet më të mundshme për këtë ndryshim është fakti se partitë opozitare janë duke demonstruar një mobilizim të jashtëzakonshëm në këtë fushatë, opozita ka gjetur një momentum që, dukshëm, e ka shqetësuar Vetëvendosjen. Përballë një sfide të tillë, retorika e lartë dhe fjalimet me tone të forta mund të jenë një përpjekje për të galvanizuar bazën elektorale të VV-së dhe për të krijuar një ndjenjë urgjence.
Gjithashtu, bërtitjet dhe intensifikimi i gjuhës shpesh përdoren në politika për të shfaqur vendosmëri dhe për të transmetuar forcë në momente kruciale, për Kurtin, ky mund të jetë një mesazh i drejtpërdrejtë që synon të mbajë nën kontroll elektoratin që po fillon të lëkundet, frika nga një humbje e mundshme e pushtetit pas një mandate të mbushur me sfida komplekse , përfshirë dialogun me Serbinë dhe menaxhimin e krizave të brendshme, mund të jetë një faktor tjetër që ushqen këtë ton të ri.
Për shumë vëzhgues politikë, Kurti i sotëm duket si një kthim në imazhin e tij prej opozitari të flaktë, i cili ngrinte zërin kundër padrejtësive dhe establishmentit të vjetër politik, ky stil i zhurmshëm, që dikur i shërbente si mjet për të mobilizuar mbështetësit kundër një sistemi të korruptuar, tani duket i ripërdorur në një përpjekje për të mbajtur një popullaritet në rënie, por ka një dallim të madh, atëherë Kurti ishte jashtë pushtetit dhe përdorte agresivitetin politik për të sfiduar status quo-në, ndërsa sot, ai është lideri i qeverisë, dhe e njëjta retorikë mund të interpretohet si shenjë dobësie apo pasigurie, më shumë sesa forcë.
Një element tjetër shqetësues është përdorimi i një gjuhe që disa e cilësojnë si përçarëse dhe të mbushur me insinuata negative për kundërshtarët politikë, kjo gjuhë e acaruar mund të jetë një përpjekje për të kanalizuar frustrimet e elektoratit drejt një “armiku të përbashkët”, duke shmangur kështu vëmendjen nga dobësitë dhe dështimet e qeverisë së tij, megjithatë, në një shoqëri demokratike që përballet me sfida të mëdha sociale dhe ekonomike, ky lloj diskursi mund të ketë pasoja të rënda për kohezionin shoqëror.
Ndryshimi në stilin dhe retorikën e Kurtit reflekton një moment kritik për Vetëvendosjen dhe për vetë të ardhmen e tij politike, nëse bërtitjet dhe gjuha e fortë janë rezultat i një paniku nga rreziku i humbjes së pushtetit, atëherë kjo tregon një krizë më të thellë, një krizë të lidershipit që nuk ka arritur të ruajë mbështetjen popullore përmes rezultateve konkrete.
Nga ana tjetër, nëse kjo është thjesht një strategji për të rikthyer emocionet e “luftës” politike që e sollën në pushtet, atëherë mbetet për t’u parë nëse kjo qasje do të jetë e suksesshme apo nëse do të largojë edhe më shumë qytetarët e zhgënjyer.
Bërtitjet e Albin Kurtit në këtë fushatë janë një simptomë e tensionit dhe presionit që ai dhe partia e tij po përjetojnë, pavarësisht nëse kjo është një strategji e qëllimshme apo një reagim ndaj frikës së humbjes, kjo qasje ngre pyetje për drejtimin që po merr lideri që dikur simbolizonte shpresën për një ndryshim të thellë në Kosovë. Në fund të fundit, qytetarët do të jenë ata që do të vendosin nëse ky transformim në retorikë është një shenjë force apo dobësie.
