Pse nuk është përfshi Kosova në listën e të ftuarve të Biden?

Analist vendor e kanë cilësuar si të dështuar politikën e jashtme të Kosovës. Këto vlerësime erdhën pas një publikimi të prestigjiozes amerikane “Politico”, sipas së cilës Kosova mungon në listën e shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë, për Samitin e Demokracive që do të mbahet në dhjetor të këtij viti. Në këtë listë, figurojnë 100 shtete, por jo edhe Kosova, Serbia dhe Bosnja.

Kryeredaktori i KLAN Kosovës, Adriatik Kelmendi, e ka cilësuar si lajm të keq për Kosovën.

“Me të vendosë Amerika e Bidenit në një grup me Serbinë e Vuçiqit, Bosnjën e Dodikut”.

Më 9-10 dhjetor, Biden do të jetë nikoqir i një samiti virtual për udhëheqësit e qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, i cili do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Për ekspertin e sigurisë Fadil Kajtazi, kjo nuk paraqet lajm për ata që kanë njohuri minimale.

“Në dokumentacionin kofidencional të ShBA VV konsiderohet organizatë terroriste. Letra kërcënuese e Kurtit dërguar Medlin Olbrajt, sulmi i ambasadores Jakobson, klima antiamerikane e krijuar nga Kurti, të para nga jashtë janë të mjaftueshme. Kurse, mundësitë e tyre për te ditur më shumë janë të pakufishme”, tha Kajtazi për Kosova.info.

Sipas tij, ata (amerikanët) e dinë mirë për sulmin me zollë të kuvendit që është organizuar nga VV, për bombat ne RTK, për bombat në shtëpitë e gazetarëve.

“Ata kanë parim me terroriste nuk bisedojmë”, tha Kajtazi për Kosova.info.

Ndërsa analisti i çështjeve politike dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi, në një postim në facebook shkruan se mospërfshirja e Kosovës në Samitin e Demokracive është sinjal i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe kjo duhet të lexohet si kambanë alarmi.

“Mirëmëngjes popull liridashës. Kjo është sipas një raporti të Politico harta e shteteve në Evropë të cilave SHBA u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive në dhjetor. Mospërfshirja e Kosovës është sinjal shumë i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe duhet të lexohet si këmbanë alarmi”, ka shkruar Maliqi.

Profesori universitar, Blerim Latifi, e ka lidhur mosftesën e Kosovës në Samitin për Demokraci në Uashington me moszbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit dhe me refuzimin e projektit amerikan të gazsjellësit.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se mosftesa për Kosovën nuk lidhet me sistemin demokratik të Kosovës.

“Jo për shkaqe që lidhen me sistemin demokratik, por për hezitimet e qeverisë rreth zbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, të shtatorit 2020, dhe refuzimin e projektit amerikan të gazsjellësit. Ne, shpesh, i ngjajmë atij fëmijës i cili duke pasur dashurinë e plotë të babait, nuk mund ta imagjinojë dot se një ditë mund të ndëshkohet prej tij për sherret që i bën herë pas here”, ka shkruar ai.

Më herët është thënë se kryeministrit të Kosovës nuk i është dhënë viza për vizitë në ShBA.

Por Përparim Kryeziu nga zyra për medie e qeveris së Kosovës, demantoi se kryeministrit Kurti i është refuzuar viza amerikane.

“Nuk është e vërtetë”, u shpreh ai kur u pyet për refuzimin e vizës për Kurtin.

“Kryeministri Kurti është i pajisur me vizë amerikane. Ai do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së shpejti. Vizita e tij është duke u planifikuar”, ka thënë ai. /Kosova.info/

https://kosova.info/pse-udheheqesit-e-institucioneve-mbajne-maska-pa-identitet/

 

Go to TOP