Pse askush nuk blen verë rumune?

Vreshtat e Rumanisë kanë qenë shumë të frytshme gjatë vitit 2021. Për rrjedhojë, vendi ka prodhuar 530 milionë litra verë – po aq sa Hungaria dhe Austria së bashku.

Për nga prodhimi i verës, Rumania renditet e gjashta në Bashkimin Evropian dhe e 12-ta në botë.

Por, pavarësisht kësaj, shumica do të pihet brenda Rumanisë edhe këtë vit.

Vetëm rreth 7 për qind e verës së prodhuar në këtë vend, gjatë vitit 2021, do të eksportohet.

Në sezonet e kaluara, shitjet jashtë kanë qenë edhe më të vogla: më pak se 5 për qind.

Një familje prodhuesish të verës në rajonin e Ialomita të Rumanisë, rreth vitit 1940. Kultura e verës në Rumani daton disa mijëra vjet më parë, por në vitet 1880 një insekt ka shkatërruar pjesën më të madhe të vreshtave të vendit. Shumë varietete autoktone rrushi janë zëvendësuar më pas me ato franceze.
Një familje prodhuesish të verës në rajonin e Ialomita të Rumanisë, rreth vitit 1940. Kultura e verës në Rumani daton disa mijëra vjet më parë, por në vitet 1880 një insekt ka shkatërruar pjesën më të madhe të vreshtave të vendit. Shumë varietete autoktone rrushi janë zëvendësuar më pas me ato franceze.

Rumania aktualisht importon verëra të huaja me vlerë rreth 65 milionë euro çdo vit, ndërsa fiton vetëm 35 milionë euro nga eksportet. Vera e eksportuar shitet në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Zvicër dhe Japoni.

Pse Rumania shet kaq pak “Vin” të saj jashtë vendit?

Shumë besojnë se pengesa më e madhe me të cilën përballet industria e verës në Rumani, është reputacioni i dobët që ka fituar gjatë viteve të komunizmit.

Nën Nicolae Ceausescun, autoritetet janë përqendruar në sasi dhe jo cilësi.

Shumë tradita dhe teknika familjare që kanë datuar me shekuj, janë shkatërruar, pasi shteti ka marrë përsipër prodhimin e verës.

Një burrë pi verë të kuqe nga një qyp në një festë në Kostesti, në perëndim të Bukureshtit, në vitin 2002.
Një burrë pi verë të kuqe nga një qyp në një festë në Kostesti, në perëndim të Bukureshtit, në vitin 2002.

Sipas një punimi të profesorit Paul Taylor, ekspert në Marketingun Ndërkombëtar në Universitetin Hochschule Furtwangen të Gjermanisë, dobësi kryesore e industrisë së verës në Rumani janë qindra mijëra pronarët e tokave që punojnë parcela të vogla.

Sipas tij, në Rumani ka vreshta të panumërta, me madhësi pishinash, që “është vështirë të kultivohen në mënyrë efikase ose fitimprurëse” për eksport.

Ndërsa, disa pronarë të vegjël vreshtash janë ende duke luftuar për të rimarrë tokën e sekuestruar gjatë komunizmit.

Një problem tjetër është se Rumania ka mungesë drastike të punëtorëve të kualifikuar.

Prejse ky vend është anëtarësuar në BE në vitin 2007, shumë vreshtarë kanë emigruar në vende të tjera të verës, si: Italia, Spanja dhe Gjermania, për punë që ofrojnë paga shumë më të mëdha.

“Që nga rënia e komunizmit, Rumania ka vuajtur nga emigrimi i punëtorëve të kualifikuar. Kjo situatë është përkeqësuar me anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”, shkruan Taylor.

Gati 20 për qind e popullsisë së Rumanisë në moshë pune jeton jashtë vendit, kryesisht në Evropën Perëndimore.

Megjithatë, vreshtarët rumunë kanë përfituar nga fondet e BE-së.

Rumania ka marrë rreth 45 milionë euro në vit për industrinë e saj të verës, që nga viti 2013.

Shumica e parave janë shpenzuar për rimbjelljen e vreshtave.

Qytetarë rumunë duke ngarkuar një kamion me rrush në vreshtin Basilesku, në Urlati, 90 kilometra në veri të Bukureshtit. Disa varietete të rrushit në Rumani janë ende unike dhe të famshme për shijet e tyre.
Qytetarë rumunë duke ngarkuar një kamion me rrush në vreshtin Basilesku, në Urlati, 90 kilometra në veri të Bukureshtit. Disa varietete të rrushit në Rumani janë ende unike dhe të famshme për shijet e tyre.

Industria e verës në Rumani vuan gjithashtu nga mungesa e një mekanizmi të marketingut, të mbështetur nga shteti, që do të prezantonte para botës varietetet unike të rrushit dhe historinë e gjatë të prodhimit të verës.

Por, megjithatë, ka njëfarë optimizmi se vendi do të mund të kapë tregun e verërave të nivelit të lartë.

Andreea Siposean, menaxhere e një agjencie rumune të udhëtimit, thotë për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë se, pas një shëtitjeje në një punishte vere me burrin e saj në vitin 2020, ajo “menjëherë e ka kuptuar potencialin e një udhëtimi si ky” dhe agjencia e saj u është bashkuar disa kompanive që ofrojnë turne verërash për turistët vendas dhe të huaj.

Shtëpia e verës Licorna në veri të Bukureshtit.
Shtëpia e verës Licorna në veri të Bukureshtit.

Nga afro 250 kantina komerciale verërash në Rumani, rreth 40 mund të mbështesin turizmin e verërave.

Ka shpresë se imazhi i verës rumune do të fillojë të piqet, kur më shumë turistë të kthehen në shtëpi, duke vlerësuar vreshtarinë e vendit të tyre.

Go to TOP