Protesta në Serbi, studentët e opozita duan zgjedhje të reja
Gjashtë muaj pas fillimit të protestave kundër regjimit të Aleksandër Vuçiqit, Serbia përballet me krizë të thelluar politike. Studentët dhe opozita kërkojnë demokratizim, zgjedhje të reja dhe fundin e dhunës shtetërore kundër zërave kritikë. Deri tani, autoritetet serbe kanë refuzuar kërkesat për qeveri kalimtare apo reformë institucionale.
Presioni politik, dhuna kundër studentëve dhe aktivistëve, si dhe arrestimi i zërave kritikë, kjo është pamja e Serbisë gjashtë muaj pas fillimit të protestave kundër regjimit të presidentit Vuçiq. Qytetarët dhe studentët kërkojnë një shoqëri demokratike dhe sundim të ligjit.
“Askush serioz nuk mund të thotë se Serbia është demokraci funksionale. Vetë BE e pohon këtë në raportet e saj. Si vend kandidat, kemi detyra të qarta: demokratizimi dhe liria e mediave, këto janë edhe kërkesa të studentëve dhe të opozitës”, tha Aleksandar Radovanoviq, nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.
Ndërkohë që protestat vazhdojnë, kriza politike thellohet. Opozita propozon një qeveri kalimtare, studentët kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por autoritetet nuk tregojnë gatishmëri për asnjërën nga këto kërkesa. Në këtë situatë, kërkohet reagim i qartë nga BE për t’i adresuar shkeljet demokratike.
“Nuk na mjaftojnë më premtimet, duhen mekanizma kontrolli për të parë nëse në Serbi zbatohet ligji. Kemi vetëm një iluzion demokracie, pyetja është nëse ekziston vullneti për liri dhe institucione reale”, tha Srgjan Millivojeviq, nga Partia Demokratike.
Ndryshe, studentët fillimisht shkuan me biçikleta në Strasburg në Parlamentin Evropian, dhe pastaj ishin në Bruksel për takime me përfaqësues të BE-së, duke kërkuar që të njihet dhe të reagojë ndaj, siç theksojnë ata, krizës politike gjithnjë e më të thellë.
