Prokuroria kërkon dënimin e inxhinierit të KEK-ut të akuzuar për ryshfet, mbrojtja lirimin e tij nga aktakuza
Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Sylejman Pllanës, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti në cilësinë e inxhinierit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Prokurori Besnik Jakupi, në fjalën përfundimtare, deklaroi se pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet në aktakuzë, dhe kërkoi që ai të dënohet sipas ligjit.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Nexhmedin Sejdiu tha se prokuroria ka përpiluar aktakuzën në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), duke kërkuar lirimin e klientit të tij pas shqyrtimit të provave. Këtë qëndrim e mbështeti edhe i akuzuari, Sylejman Pllana.
Ndërkohë, bashkë i akuzuari Egzon Hyseni kishte pranuar fajësinë dhe u dënua me një gjobë prej 1,800 euro nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 17 maj 2021.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 26 janar 2021, Pllana akuzohet se, duke keqpërdorur pozitën zyrtare si inxhinier në KEK, i ka kërkuar ryshfet në shumën prej 5,500 euro Egzon Hysenit, duke i premtuar se do ta punësonte si vozitës në KEK. Pllana fillimisht kishte pranuar 2,000 euro nga Hyseni, më pas edhe 500 euro në një takim tjetër, ndërsa për shumën e mbetur prej 3,000 euro ishin dakorduar të paguhej pasi Hyseni të punësohej dhe të merrte pagën e parë në KEK.
Pllana akuzohet për kryerjen e veprave penale “Marrja e Ryshfetit” sipas nenit 428, paragrafi 1, dhe “Keqpërdorimi i Detyrës apo Autoritetit Zyrtar” sipas nenit 422, paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërkaq, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Egzon Hyseni akuzohet për veprën penale “Dhënia e Ryshfetit” sipas nenit 429, paragrafi 1 të KPRK-së, pasi gjatë muajit prill 2019, i kishte dhënë Pllanës fillimisht 2,000 euro dhe më pas 500 euro për të siguruar punësimin e tij në KEK.
