Prokuroria inicion rast ndaj personit juridik për punime pa pajisje mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës

Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së djeshme ka identifikuar një objekt në Hajvali, në të cilin po kryhen punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se prokurori kujdestar, Inspektorati i Punës dhe policia me njësitë përkatëse, nga vendi i ngjarjes kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe sigurinë në punë, si dhe parandalimin e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

“Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ndaj personit përgjegjës si person juridik, në drejtim të veprës penale Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 të KPRK-së, ndërsa, me vendim të Inspektoratit të Punës, janë ndaluar punimet në këtë objekt deri në një vendim të radhës”.

“Prokurori i Shtetit është i përkushtuar dhe do të vazhdojë që përmes bashkëpunimit me Inspektoratin e Punës dhe institucionet e tjera shtetërore të ndërmerre veprime në saje të kompetencave ligjore, me qëllim të vetëdijesimit të punëdhënësve dhe edukimit të shoqërisë, si dhe parandalimit të veprave penale të kësaj natyre”, thuhet në njoftim.

Go to TOP