Osmani: Me të rënët në Betejën e Koshares u realizua ëndrra shekullore, thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar

Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne në nderim të Betejës së Koshares.

Në fjalën e saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se si popull e si komb, shqiptarët ditën të mobilizohen në një front të përbashkët, ku burra e gra mbrojtën dinjitetin për liri e shtet.

Osmani tha se sikurse edhe në shumë kapituj të historisë së luftës së Kosovës, guximi, sakrifica dhe vendosmëria përmblidhen edhe në Betejën e Koshares, ku tha se rezistencës së armatosur, i parapriu rezistenca paqësore nën udhëheqjen e presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Kjo rezistencë paqësore për gati një dekadë ka sfiduar padrejtësinë e regjimit kriminal serb, ka bashkuar të gjithë shqiptarët rreth kauzës për liri, pavarësi e demokraci dhe është shndërruar në frymëzim për botën duke shënuar kthesë si rezistenca paqësore me efektin më të madh në historinë moderne sepse si rezultat pati jo vetëm bashkimin e shqiptarëve në një qëllim, por edhe ndërtimin e aleancave më të fuqishme të cilat na dolën në ndihmë duke parandaluar shfarosjen që e synonte regjimi serb”, tha Osmani.

E para e shtetit tutje tha se Beteja e Koshares shënon një ndër betejat më të suksesshme të luftës të UÇK-së kundër forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë.

“Në këtë betejë të filluar më 9 prill 1999, grupi operativ 3 nën udhëheqjen e oficerëve të rryer ushtarakë e profesionistë, si Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Anton Çuni e shumë të tjerë arritën që ta realizojnë ëndrrën shekullore, thyerjen e kufirit shqiptaro – shqiptar”.

“Pas dy ditësh luftime në fushë të nderit, ra strategu i papërsëritshëm ushtarak, frymëzuesi i të gjithë luftëtarëve, piktori, poeti e artisti Agim Ramadani – Komandant Katana. Megjithëse humbje e madhe për luftën, rënia e Agim Ramadanit shtoi forcën, motivin dhe vendosmërinë që idealin dhe amanetin e tij, bashkëluftëtarët ta çojnë deri në fund”, tha Osmani.

Go to TOP